[index]
albanais
- shqip
Deklarata e pergjithshme mbi te drejtat e njeriut
Hyrje
Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta
dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve
të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë
dhe paqes në botë;
mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar
drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit,
dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të
gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga
frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë
e çdo njeriu;
mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen
me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar
që në pikën e fundit t'i përvishet kryengritjes kundër
tiranisë dhe shtypjes;
mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve
miqësore midis kombeve;
mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në
Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në
dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis
burrave dhe grave dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin
shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në
liri të plotë;
mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet
e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin
e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore;
mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive
është më i rëndësishëm për realizimin e plotë
të këtij detyrimi;
ASAMBLEJA E PERGJITHSHME shpall Këtë DEKLARATE TE PERGJITHSHME MBI TE
DREJTAT E NJERIUT si ideal të përgjithshëm të cilin duhet
ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në
mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror,
duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet
që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në
respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë
të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të
sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë,
si midis popujve të vetë shteteve anëtare , ashtu edhe midis popujve
të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.
Neni 1.
Të gjithë njerëzit lindin të lirë
dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë
arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me
frymë vëllazërimi.
Neni 2.
Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara
në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i
përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar,
mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore,
pasurisë, lindjes ose tjetër.
Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit
politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të
cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është
i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës
ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të
kufizimit të sovranitetit.
Neni 3.
Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë
dhe të ketë sigurimin vetjak.
Neni 4.
Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose çifçi; skllavëria
dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha
format.
Neni 5.
Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të
egër, jonjerëzor ose poshtërues.
Neni 6.
Gjithkush ka të drejtë që t'i njihet kudo personaliteti juridik.
Neni 7.
Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë
të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji.Të
gjithë kanë të drejtën për t'u mbrojtur barabar kundër
çdo diskriminimi që cënon këtë Deklaratë, si dhe
kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.
Neni 8.
Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para
gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen
të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.
Neni 9.
Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.
Neni 10.
Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces
gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të
paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta
dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.
Neni 11.
Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka
të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet
fajsia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në
të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen
e vet.
Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të
cilat nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare
dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer. Gjithashtu
nuk mund të vendoset një dënim më i rëndë nga ai
që ka qenë zbatuar në kohën kur është kryer vepra
penale.
Neni 12.
Asnjeri nuk duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën,
familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër
nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet
nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.
Neni 13.
Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit
brenda kufijve të çdo shteti.
Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë,
përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në
vendin e vet.
Neni 14.
Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe gëzoje në
vende të tjera azil nga ndjekjet.
Këtë të drejtë nuk mund ta gëzojë askush në
rast se ndiqet për krime jopolitike ose për vepra në kundërshtim
me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.
Neni 15.
Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie.
Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe
as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë.
Neni 16.
Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë
të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi
për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë
të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës,
gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi.
Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të
lirë të personave që do të martohen.
Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë
dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.
Neni 17.
Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu
edhe në bashkësi me të tjerët.
Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.
Neni 18.
Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes
dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të
besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose
në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose
privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së
mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.
Neni 19.
Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes;
kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe
lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve
me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.
Neni 20.
Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit
paqësor.
Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në
ndonjë bashkim.
Neni 21.
Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen
e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqsuesve
të zgjedhur lirisht.
Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet
publike në vendin e vet.
Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror; ky vullnet
duhet të shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat
duhet të jenë të përgjithshme dhe votimi i barabartë,
si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse
të votimit të lirë.
Neni 22.
Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit
shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore
të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë
të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo
shteti.
Neni 23.
Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht
profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë
i mbrojtur nga papunësia.
Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për
punë të njëjtë të marrë rrogë të njëjtë.
Gjithkush që punon ka të drejtën për një shpërblim
të drejtë dhe favorshëm, në mënyrë që t'i sigurojë
atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit
njerëzor dhe, në qoftë se do të jetë e nevojshme ky shpërblim
të plotësohet edhe me mjete të tjera të sigurimit shoqëror.
Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë and të
bëjë pjesë në të për mbrojtjen e interesave të
veta.
Neni 24.
Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë,
duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës
dhe pushimin e paguar periodik.
Neni 25.
Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm
i cili t'i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme
si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë
ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjeksor dhe shërbimet e nevojshme
sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në
rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të
tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të
rrethanave të pavarura nga vullneti i tij.
Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë
të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur
brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje
sociale.
Neni 26.
Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë
falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulta. Arsimi fillor
është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të
zgjerohet e arsimi i lartë duhet t'u bëhet i mundshëm të gjithëve
në bazë të aftësisë.
Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të
njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut
dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe
miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe
besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen
e paqes.
Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët
e tyre e kanë në rradhë të parë prindërit.
Neni 27.
Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në
jetën kulturore të bashkësisë, të gëzojë artet
dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e
tij.
Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale,
që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor
i të cilave është ai vetë.
Neni 28.
Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar
në të cilin mund të realizohen plotësisht të drejtat
dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë.
Neni 29.
Gjithkush ka detyrime vetëm ndaj asaj bashkësie në të cilën
është i mundur zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit
të tij.
Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t'u
nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuar
me ligj, ekskluzivisht me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi
i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve e
që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit
publik dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë
demokratike.
Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë
rast kundër qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara.
Neni 30.
Asgjë në këtë Deklaratë nuk mund të interpretohet
si e drejtë e një shteti, grupi apo personi për të kryer çfarëdo
veprimtarie ose për të bërë një akt drejtuar kundër
çdo të drejte ose lirie të shpallur në këtë Deklaratë.
[index]